Jurii

Fakulteti Juridik bashkëpunon me Institutin për Studime Evropiane dhe Globale (ISEG)

Dekani i Fakultetit Juridik në  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Islam Qerimi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale (ISEG), Jeton Halimi, kanë  nënshkruar të premten Memorandum Bashkëpunimi. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandum ishin  edhe zëvendësrejtoresha e këtij Instituti, Rajmonda Kurshumliu, si dhe zyrtarët për çështje administrative dhe studentore të Fakultetit Juridik, Suzana Halilaj dhe Shpat Musliu.

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi, mbështetja dhe bashkërendimi i aktiviteteve në mes të subjekteve të lartcekura. Memorandumi synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok.

Palët do të bashkërendojnë në sferën e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës, me qëllim të zhvillimit, të avancimit dhe të ndihmës së procesit të integrimit Evropian, si dhe promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në vend dhe më gjerë, si dhe në çdo sferë tjetër ku vijnë në shprehje interesat e përbashkëta si: Shkëmbimet e përvojave, praktikave të mira, ekspertëve dhe literaturës përkatëse për zhvillimin institucional, me qëllim të avancimit profesional dhe akademik të studentëve dhe stafit.

Ndër të tjera në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit, parashihet edhe hartimi i programeve hulumtuese dhe kërkimore komform kërkesave dhe interesave dypalëshe, mandej organizimi i përbashkët i veprimtarive shkencore dhe profesionale, ndikimi pozitiv në përafrimin e programeve te studimit me nevojat e tregut të punës etj.