Juridik

Fakulteti Juridik bashkëpunon me Odën e Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONDK)

Sot, Dekani i Fakultetit Juridik në  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. assoc. dr. Islam Qerimi dhe kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës (ONDK), znj. Ganimete Xhelili, kanë  nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi. Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi nga pala e ONDK ishte edhe anëtari i Bordit, z. Mentor Boja, ndërsa nga pala e Fakultetit Juridik ishin prof. ass. dr. Arbnor Ajeti dhe prof. ass. Dr. Benik Murati!

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi, mbështetja dhe bashkërendimi i aktiviteteve në mes të subjekteve të lartcekura. Meqenëse ndërmjetësimi si proces, por dhe si instrument është i rëndësisëm për trajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve civile, tregtare, familjare dhe penale, ky memorandumi synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të këtyre çështjeve që janë me interes reciprok. Palët konstatuan rolin dhe rëndësin e këtij memorandumi në faktin e sensibilizimit të përparësisë dhe afirmimit të zgjidhjes së kontesteve ndërmjet palëve në procedurë gjyqësore. Ata këtë memorandum e favorizonë edhe për shkak se instrumentet ndërkombëtare dhe eksperienca ndërmjetësuese e vërtetojnë se për dallim nga gjyqtari në një proces gjyqësor dhe arbitri në një proces arbitrazhi, ndërmjetësi ka autoritet në menaxhimin e gjithë procesit të ndërmjetësimit, por nuk ka autoritet të marrë vendime jashtë vullnetit të palëve të përfshira në konflikt.

Palët sipas këtij memorandumi palët do të bashkërendojnë aktivitetet në sferën e bashkëpunimit për mundësinë e mbajtjes së praktikës dhe vizitave studimore për studentët e Fakultetit Juridik në Odën e Ndërmjetësuesve te Kosovës (ONDK) dhe prezantimi i temave në fushën e ndërmjetësimit nga ana e ndërmjetësuesve para studentëve të Universitetit të Mitrovicës, për trajnime e tema të veçanta që ndërlidhën me fushën e ndërmjetesimit në Republikën e Kosovës. Fokus i veçantë i këtij memorandumi është organizimi i aktiviteteve të përbashkëta profesionale (ligjërata/debate) me qëllim të shkëmbimit të praktikave në drejtim të rritjes së cilësisë së studimit për studentët e Fakultetit Juridik. Për implementimin e konferencave / debateve / simpoziumeve, Univeristeti “Isa Boletini”në Mitrovicë, do t’i vë në dispozicion të ONDK pa kompensim klasat dhe ambientet e tjera.

Meqenëse profesorët Qerimi, Ajeti dhe Murati janë kuadër i specializuar edhe në fushën e zgjidhjes së konflikteve jashtëgjyqësore e mirëpritën këtë lidhje të Memorandumit të Bashkëpunimit, me ONDK me qëllim edhe të hartimit të programeve hulumtuese dhe kërkimore komform kërkesave dhe interesave dypalëshe, mandej organizimii të përbashkët i veprimtarive shkencore dhe profesionale, që kanë për qëllim edhe lirimin e organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës nga lëndët e stërngarkauara të cilat gjenden në sirtarët e tyre.