Fakulteti Juridik dhe LEXdoks filluan implementimin praktik të Memorandumit të Bashkëpunimit
Në Fakultetin Juridik të UIBM-së, u mbajt sesion i hapur nga LEXdoks. Për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit Juridik të UIBM-së, përfaqësuesit nga Platforma LEXdoks, Alban Muriqi si dhe Dalian Zogaj mbajtën një ligjëratë të hapur, me temë: “Përparësitë dhe mundësitë e kërkimit ligjor të integruar dhe ofrimi i qasjes së drejtpërdrejtë në Platformën LEXdoks”.
Fillimisht prodekani për mësimdhënie dhe zhvillim akademik i Fakultetit Juridik, prof. ass. dr. Përparim Gruda u uroi mirëseardhje përfaqësuesve të kësaj Platforme, si dhe të pranishmit i njoftoi për aktivitetin dhe fushëveprimtarinë e saj. Ai potencoi, se Lexdoks është platformë e mençur kërkimi që u mundëson përdoruesve qasje të shpejtë në të gjithë dokumentet e legjislacionit dhe praktikës gjyqësore të Republikës së Kosovës, duke i bërë ato elektronikisht të kërkueshme, lehtësisht të qasshme dhe të përshtatshme për citim.
Gjatë zhvillimit të këtij sesioni të pranishmit u informuan nga përfaqësuesit e kësaj Platforme më për së afërmi me qëllimin dhe objektivat e përdorimit të kësaj platforme nga juristët! Më tutje, nga të pranishmit u zhvillua një debat i gjallë mbi përparësitë dhe mundësitë e kërkimit ligjor të integruar dhe ofrimi i qasjes së drejtpërdrejtë në këtë Platformë. Ata u pajtuan se ndër përparësitë thelbësore të kësaj Platforme është fakti, se ajo bën sistemin tonë ligjor më transparent dhe më të qasshëm.
Lexdoks në koordinim me Fakultetin Juridik ka planifikuar që një numër prej rreth 80-100 studentëve, duke përfshirë edhe profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” të Mitrovicës, t’u lejojë qasje gratis, përderisa do të jetë në fuqi Memorandumi i bashkëpunimit. Gjatë prezantimit të kësaj Platforme u zhvillua edhe demonstrimi praktik i përdorimit dhe kërkimit në Platformës që u mirëpritë sidomos nga studentët.
Në fund të këtij sesioni, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Islam Qerimi së bashku me përfaqësuesit e Platformës Lexdoks u dakorduan që sesione të këtilla të vazhdojnë të mbahen rrregullisht, me qëllim të avancimit të shërbimeve të kësaj natyre për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit.