
Fakulteti Juridik i UIBM Bashkëpunon me Fakultetin Juridik të Universitetit “Aristotelus” në Selanik!
Në datën e djeshme, një ngjarje e rëndësishme u zhvillua në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku Dekani i këtij fakulteti, Prof. dr. Islam Qerimi, së bashku me Prorektoren për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte të UIBM, Prof. asoc. dr. Edita Bekteshi, si dhe Prodekanin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Cilësi në Fakultetin Juridik, Prof. ass. rr. Arbnor Ajeti pritën një delegacion të nderuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Aristotelus” në Selanik, Greqi. Ky delegacion ishte udhëhequr nga Dekani i Fakultetit Juridik të këtij universiteti, Prof. Dr. Panayotis Glavinis.
Takimi mes palëve u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat juridike. Gjatë këtij takimi, të dy palët nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, i cili përmban një sërë mundësish dhe angazhimesh për të thelluar bashkëpunimin akademik dhe profesional.
Një nga pikat më të rëndësishme të këtij memorandumi është ofrimi i mundësisë për studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” të vazhdojnë studimet në nivelin master pa pagesë në Fakultetin Juridik të Universitetit “Aristotelus” në Selanik. Ky mundësim është një mundësi e jashtëzakonshme për studentët e Fakulteit Juridik të UIBM-it, pasi ata do të kenë mundësinë të përfitojnë nga njohuritë dhe përvoja e këtij institucioni të njohur ndërkombëtarisht. Megjithatë, një kusht i rëndësishëm i kësaj oferte është që pas diplomimit, studentët do të kthehen në Kosovë dhe do të kontribuojnë me njohuritë dhe aftësitë e fituara në këtë program në zhvillimin e sektorit të drejtësisë dhe shoqërisë kosovare.
Në përfundim të këtij takimi, Dekani Prof. dr. Islam Qerimi falënderoi Dekanin Prof. Dr. Panayotis Glavinis dhe të gjithë menaxhmentin e Fakultetit Juridik të Universitetit “Aristotelus” për angazhimin dhe vullnetin për të zhvilluar këtë bashkëpunim të frytshëm. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për dhuratën simbolike – dekoratën dhe simbolin e universitetit Aristotelus, e cila u dhurua si shenjë e fillimit të një marrëdhënieje të fuqishme dhe të qëndrueshme akademike.
Ky bashkëpunim ndërmjet dy universiteteve të njohura është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e drejtësisë.