Trajnimi

Filloi trajnimi për dizajn -grafik dhe web-dizajn

Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka filluar trajnimi për dizajn grafik dhe web-dizajn, me rreth 50 studentë dhe të rinj të rajonit. Trajnimi është organizuar nga Agjencia Rajonale e Zhvillimit – Veri (ARZHV) në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në UMIB dhe financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në hapje të trajnimit në UMIB ka qëndruar edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila është interesuar për organizimin e këtij aktiviteti. Ajo i ka përshëndetur pjesëmarrësit e trajnimit, të cilëve ju ka uruar sukses, përderisa ka falënderuar UMIB-in dhe ARZHV për organizimin e mirë. “Ne jemi të vendosur që të mbështesim nismat dhe projektet në të mirë të rinisë”, tha ajo.

Drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, i ka uruar mirëseardhje ministres Dumoshi në UMIB dhe e ka falënderuar për mbështetjen sa i përket këtij aktiviteti në këtë kohë pandemie. “Jemi shumë të kënaqur me pjesëmarrjen e të rinjve në këtë trajnim dhe për faktin se mund të ofrojmë kushte kaq të mira për ata që duan të avancohen në aspektin profesional”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e ARZHV-së, Rreze Duli, falënderoi ministren Dumoshi, drejtorin Jashari dhe zyrtarin e QZHK-së, Alban Fazliu, për përkushtimin sa i përket jetësimit të këtij aktiviteti në të mirë të studentëve dhe të të rinjve. Ajo sqaroi se trajnimi ka gjithsej 54 orë, ndërsa në fund pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata ku planifikohet të organizohet edhe një ceremoni rasti.

Trajnimi 1