Filloi trajnimi për videoproduksion
Organizuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal – Veri (AZHR-Veri) dhe Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ka filluar të shtunën trajnimi për videoproduksion me studentët dhe të rinjtë e rajonit. Këtë trajnim që mbahet në Bibliotekën Universitare në UIBM, e kanë mbështetur edhe Komunat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, prej kah vijnë pjesëmarrësit.
Drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun në UIBM, Ahmet Jashari, tha se organizimet e këtilla të përbashkëta me organizata dhe institucione të tjera, sikur ky trajnim, ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për studentët dhe të rinjtë. “Tashmë kemi krijuar një traditë të sukseshme bashkëpunimi me AZHR – Veri, në të mirë të studentëve, të të rinjëve dhe shoqërisë në përgjithësi”, tha ai.
Drejtoresha e AZHR-Veri, Rreze Duli, tha se ky trajnim ka për qëllim fuqizimin ekonomik të të rinjve. “Objektivat kryesore të trajnimit janë: Aftësimi profesional për ngritjen e aftësive të fuqisë punëtore dhe kompetencës profesionale dhe ofrimi i trajnimeve profesionale dhe përfshirja e tyre në programet e masave aktive të tregut të punë”, tha ajo.
Sipas saj, ky kurs është i përsosur për individët që duan të hyjnë në botën e realizimit të videove profesionale, pavarësisht nga fusha e tyre aktuale e punës ose studimit. “Ky kurs është gjithashtu për njerëzit që kanë dashur gjithmonë fotografinë, videon por nuk dinë si të fillojnë”.
Kriter për t’u bërë pjesë e këtij trajnimi që do të zgjasë 20 orë, është mosha 18-35 vjeç.