Të nderuar Profesor Avdullahi dhe Profesor Ibishi bashkëkoordinatorë të konferencës,
I nderuari dekan i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.asoc.dr. Festim Kutllovci,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të UIBM,
I nderuari z.Geotar Mjeku, zv.ministër nga Ministria e Ekonomisë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar hulumtues, studiues dhe profesorë nga vendi, rajoni dhe Evropa,
Të nderuar dekanë, prodekanë, staf akademik dhe studentë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë që t‘ju përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhje në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë në hapje të edicionit të pestë të “Konferencës Ndërkombëtare Multidiciplinare për Gjeoshkencë”.
Kjo konferencë paraqet një ngjarje të rëndësishme për universitetin tonë, por duke qenë se ka karakter ndërkombëtar gjithsesi është edhe një aktivitet i shënuar në kalendarin shkencor jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.
Si e tillë kjo konferencë figuron edhe në listën e aktiviteteve vjetore nga Shërbimi Gjeologjik Evropian.
Kjo padyshim që tregon seriozitetin e këtij organizimi, pjesë e të cilit përveç Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini”, prej fillimit janë edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Ekonomisë: departamenti i minierave dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.
Në këtë kontekst, më lejoni që të falënderoj bartësit e organizimit prej edicionit të parë dhe t’i përgëzojë ata për punën dhe përkushtimin e tyre që konferenca të mbahet çdo vit, madje edhe gjatë viteve kur bota përballej me pandeminë e shkaktuar nga Covid- 19. Faleminderit të gjithëve, sepse keni bërë një punë të jashtëzakonshme edhe në rrethana të jashtëzakonshme.
Të nderuar të pranishëm, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, sivjet ka shënuar 10-vjetorin e themelimit, dhe ngjarje si kjo tregojnë për konsolidimin e plotë të këtij institucioni. Kemi 10-vjet si institucion akademik, dhe 5 vjet si konferencë shkencore që mbledh profesorë, studentë, studiues dhe shkencëtarë nga fusha e gjeoshkencave dhe jo vetëm që vijnë nga vendi, rajoni dhe vende të ndryshme evropiane.
Mitrovica ka 62-vjet traditë akademike të ndërlidhur drejtpërdrejtë me fushën e gjeoshkencave. Pasuritë nëntokësore në qytetin dhe rajonin tonë, minierat e famshme të “Trepçës” dhe industria minerare në përgjithësi në Kosovë është menaxhuar dhe zhvilluar nga ekspertët dhe kuadrot e dala nga institucionet akademike që ishin hapur në qytetin e minatorëve.
Jemi të lumtur që kjo traditë e zhvillimit të gjeoshkencës po vazhdon në Mitrovicë. Jemi të lumtur që Universiteti “Isa Boletini” është bërë pikë reference për studiuesit dhe shkencëtarët e kësaj fushe nga vendi, rajoni dhe Evropa. Shpreh kënaqësinë që jemi bashkë këtu për dy ditë, për të prezantuar punën tonë dhe hulumtimet tona të fundit në fushën e gjeoshkencës.
Zonja dhe zotërinj, më lejoni në fund edhe një herë t’ju falënderoj për praninë tuaj sot këtu dhe t’ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve në këtë konferencë.
Ju faleminderit!