Fushatë informuese për programet e studimit në UIBM
Qendra për Zhvillim në Karrierë (QZHK) dhe Parlamenti Studentor kanë nisur një fushatë informuese nëpër shkollat e rajonit të Mitrovicës për programet e studimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Në ditën e parë dhe të dytë takime janë mbajtur me nxënësit e Gjimnazit në Vushtrri si dhe Gjimnazit dhe Shkollës së Mesme Ekonomike në Mitrovicë.
Zyrtari i Lartë i QZHK-së, Alban Fazliu, tha se në takime po japin informacione për programet e studimit, kampusin universitar, bursat dhe perspektivën që ofrohet për të rinjtë. “Për nxënësit e pranishëm përveç informacioneve verbale, po shfaqen edhe video promovuese për UIBM si dhe po shpërndahen broshura me të dhëna të nevojshme”, tha ai.
Sipas tij, fushata informuese do të vazhdojë edhe në shkollat tjera të rajonit, duke përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Drenasin. Në vitin akademik 2023/24 ofrohen 10 programe studimi në nivelin bachelor.