Gjykimii

Gjykim i simuluar nga studentët e Fakultetit Juridik

Pesë grupe studentësh kanë marrë pjesë të enjten në një gjykim të simuluar të organizuar në Fakultetin Juridik në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ku objekt trajtimi ishte një rast nga e drejta penale. Pjesë e organizimit të këtij aktiviteti me studentë përveç Fakultetit Juridik ishin edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, si nga gjykatat, prokuroria, shërbimi korrektues, avokatia, policia etj, përdersia të pranishëm ishin dekanë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të insitucioneve e organizatave të ndryshme.

Dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi, ka falënderuar bashkëorganizatorët dhe të pranishmit në gjykimin e simuluar. “Fakulteti Juridik si prioritetet të veçantë ka shpallur ndërmarrjen e një reforme tërësore për të krijuar një sistem në kuptimin e një formimi, kualifikimi akademik dhe trajnimi cilësor profesional në harmoni me standardet që presim të sjellim në sistemin e arsimit universitar”, tha ai.

Sipas tij, Fakulteti Juridik ka krijuar një traditë të mirë sa i përket gjykimeve të simuluara. “Sukseset e studentëve tanë janë vlerësuar edhe përtej Universitetit tonë”, tha ai, duke  numëruar garat ku studentët e Juridikut kanë marrë vendet e para.

Pas përfundimit të gjykimit të simuluar, paneli vlerësues në përbërje nga Vesel Ismajli, gjyqtar, Fatmir Behrami, prokuror dhe Besim Parduzi, avokat, kanë shpallur vendimet për grupin fitues dhe për fituesit në role individuale. Paneli vlerësues ka përgëzuar studentët për shkathtësitë e koncipuara nga e drejta penale dhe procedurale.

Dekani Qerimi ka ndarë certifikata për fituesit: Kaltrina Salihi, Elfate Mehmeti, Mirjeta Hajra, Anida Maloku, Albiona Kolludra, Arbesa Ujkani, Laureta Jonuzi, Drita Rama, Gentiana Vidishiqi, Donjeta Sadiku, Qendrim Shyti dhe Jeton Rrahmani. Anëtart e panelit vlerësues u nderuan me mirënjohje.