Takimi4

Grupi Punues për draftimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV), të programit master i Fakultetit Juridik mbajti takimin e katërt

Grupi Punues për draftimin e Raportit të Vetëvlerësimit (RVV), të programit master i Fakultetit Juridik, nën kryesimin e përbashkët të profesorëve Përparim Gruda dhe Zahir Çerkini ka vazhduar punën e tij të rregullt me takimin e katërt.

Takimin e sotshëm e ka hapur profesori Përparim Gruda dhe si zakonisht edhe kësaj radhe është përshkruar me një atmosferë të lartë profesionale. Ai fillimisht i ka njoftuar të pranishmit për metodologjinë e punës për hartimin e mëtutjeshëm të RVV-së, me ç’rast të gjithë anëtarët e pranishëm u pajtuan që të trajtohet draftimi i parë i mëtutjeshëm sipas ndarjes së detyrave në përbërje të grupeve të vogla. Gjatë punës tërë ditore profesorët e lartëpërmendur kanë trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me: Kapitullin II – Menaxhimi i cilësisë;  Kapitulli III – Stafi akademik; Kapitulli IV – Procesi mësimor; Kapitulli V – Studentët. Krahas, përpilimit të Draftit të RVV-së, u kërkua që ky dokument të plotësohet edhe me shtojcat e nevojshme, që kanë të bëjnë me rregulloret, statistikat dhe të dhënat e stafit akademik, administrativ dhe për aspektet që kanë të bëjnë me procesin mësimor si dhe studentët.

Pjesëmarrësit (stafi akademik, administrativ dhe Alumni) morën qëndrim që deri ditën E enjtë dokumenti i hartuar deri më tani të lexohet, analizohet dhe vlerësohet nga prizmi përmbajtësor e jo nga konteksti teknik – drejtëshkrimor.

Gjithashtu, unanimisht u përkrah propozimi i profesorit Përparim, që në dokumentin e RVV-së, respektivisht në Kapitullin që ka të bëjë me hulumtimet, të inkorporohen edhe të dhënat mbi pjesëmarrjen e stafit akademik të këtij Fakulteti në konferenca vendore dhe ndërkombëtare.

Grupi Punues për hartimin e RVV-së, në ora 15.20 ka shpallur të mbyllur mbledhjen dhe vendosi që takimi i ardhshëm të zhvillohet të enjten e ardhshme, më 17.11.2022.