Fotokon

Iniciohet projekt gjithëpërfshirës për performancën e stafit akademik          

Universitetet publike në Kosovë janë duke punuar në realizimin e një projekti të përbashkët  të iniciuar nga  organizata joqeveritare “Optima”,  që ka të bëj me krijimin e një sistemi  gjithëpërfshirës të performancës së stafit akademik. Për konkretizimin e kësaj nisme tashmë kanë nisur edhe takimet online të rektorëve të universiteteve publike me drejtuesit e OJQ “Optima”.

Në këtë kuadër, rektori i Universitetit  të Mitrovicës “Isa Boletini (UMIB), prof.dr.Alush Musaj, tha se në takim janë pajtuar që universitetet t’i japin  mbështetje kësaj nisme për këtë projekt me rëndësi për universitetet. “Shpresojmë që projekti  i iniciuar nga OJQ “Optima” të  bëhet realitet, meqë do të na ndihmonte shumë sa i përket perfomancës së stafit akademik”, tha ai.

Ndryshe në kuadër të projektit, parashihet që të plotësohen nevojat specifike të universiteteve si dhe të adresohen shqetësimet e stafit akademik dhe të administratës në secilin universitet.  Poashtu planifikohet që modeli të përfshij edhe standardet dhe  udhëzimet e duhura për cilësinë akademike dhe mësimdhënies siç përcaktohet nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Agjencinë e Akreditimit të Kosovës (AKA).

Objektivat kryesore të programit janë: Marrja e njohurive nëpërmjet rishikimit dhe vlerësimit të shtatë universiteteve publike mbi statutin e tyre në adresimin e standardeve të AKA-së për vlerësimin e punës së stafit akademik.  Objektiv tjetër është arritja e koncenzusit për qëllimet e përgjithshme dhe qasjen e unifikuar për  zhvillimin e një procesi të evaluimit të stafit akademik si dhe të hartohet një plan gjithëpërfshirës, që do të përdor një proces shumëhapësh për t’u zbatuar në qdo universitet  sa i përket standardeve  të akreditimit të AKA-së.