Ferro

Intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet UMIB-it dhe “Ferronikelit”

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe kompania “Ferronikeli” nga Drenasi do të intensifikojnë bashkëpunim me interes reciprok. Kështu u tha në një takim të përbashkët që u mbajt të martën në UMIB, ku u shpreh zotimi për zgjerimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar më herët.

Delegacioni i UMIB-it që përbëhej nga prorektorët: Merita Shala e Behxhet Shala, dekani i Fakultetit të Gjoeshkencave, Naser Peci dhe profesoresha Zarife Bajraktari Gashi, falënderuan drejtuesit e kompanisë “Ferronikel” për qasjen konstruktive sa i përket bashkëpunimit. Ata vlerësuan shumë lehtësimin e qasjes për punën praktike të studentëve në këtë kompani të suksesshme kosovare si dhe veçanërisht punësimin e disa studentëve të UMIB-it.

Në anën tjetër, delegacioni nga “Ferronikeli” që përbëhej nga drejtori teknik, Faruk Beqiri, drejtuesi i Burimeve Njerëzore, Blerim Gashi dhe  inxh. Behram Halilaj, thanë së kompania e tyre është e hapur për studentët e UMIB-it. Sipas tyre, përfitimi nga ky bashkëpunim është i dyanshëm, meqë  UMIB-i përgatit kuadrot e nevojshme për kompaninë e tyre.

Të pranishëm në takim ishin edhe disa studentë që kanë kryer punën praktike dhe kërkimore në “Ferronikel”. Ata shprehën falënderimin e tyre për pritjen dhe mbështetjen që kanë gjetur gjatë punës së tyre praktike dhe përgatitjes së temave të diplomës.