Ka filluar “Kongresi XIX Ballkanik i Përpunimit të Mineraleve (XIX BMPC)”
Ka filluar të hënën në Mitrovicë, “Kongresi XIX Ballkanik i Përpunimit të Mineraleve (XIX BMPC)”, i cili për herë të parë po mbahet në Kosovë. Organizatorë të këtij edicioni që do të zgjas dy ditë dhe mbahet në hotelin “Palace”, janë Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Instituti i Pasurimit të Mineraleve dhe Mbetjeve, Energjisë dhe Mjedisit.
Gjithashtu organizimi është mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, Departamenti i Minierave, “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), NewCoFerronikeli, SharrCem etj. Në këtë edicion janë të pranishëm drejtues të institucioneve shkencore nga vende të ndryshme si dhe hulumtues shkencorë, të cilët do t’i paraqesin kumtesat e tyre në seanca të ndara.
Në ceremoninë e hapjes të pranishmit i ka përshëndetur zëvëndësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, prorektori i UIBM, prof.dr. Behxhet Shala, presidenti i “Ballkan Mineral Processing Science Committee” etj,. Prorektori Shala, ka shprehur kënaqësinë që ky edicion i kësaj konference po mbahet në Mitrovicë, duke pasur parasysh traditën që ka ky qytet në fushën minerare.
Ai ju uroi sukses të gjithë pjesëmarrësve që kanë ardhur nga rajoni dhe vendet tjera, për t’u bërë pjesë e një ngjarje të shënuar në kalendarin e aktiviteteve shkencore në Evropë. Gjithashtu prorektori Shala, ka theksuar se kjo konferencë mbahet edhe në përkujtim të profesorit të ndjerë, Shyqeri Kelmendit, i cili ishte nismëtar që kjo ngjarje të mbahej në Mitrovicë.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Naser Peci, tha se mbajtja e “Kongresit XIX Ballkanik në Përpunimin e Mineraleve”, në qytetin e Mitrovicës është mjaft i përshtatshëm duke pasur parasysh temën e kongresit “Përpunimi i mineraleve në sfidën globale”. “Rajoni i Mitrovicës është i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan e më gjerë sa i përket hulumtimit, shfrytëzimit dhe përpunimit të mineraleve, bazuar në resurset e shumta minerale kryesisht Pb-Zn dhe metaleve tjera – që lidhet ngushtë me kompaninë “Trepça”.
Ai theksoi se Mitrovica po ashtu është qytet universitar me kampus shumë modern ndërtuar vitet e fundit dhe me programe studimi unike ne Kosovë në fushën e hulumtimit, shfrytëzimit dhe përpunimit të resurseve minerale. Dekani Peci, shfaqi shpresën se punimet e Kongresit do të krijojnë mundësi për të rritur shkëmbimin e njohurive dhe zbulimet e reja nga lëmia e gjeoshkencave dhe fushat përkatëse të aplikimeve veçanarisht në përpunimin e mineraleve.