Objekti

Kampusi i ri universitar në Mitrovicë pritet të jetë gati në mars 2018

Kampusi i ri universitar në Mitrovicë pritet të jetë gati për studentët në mars të vitit të ardhshëm, respektvisht në 5-vjetorin e themelimit të Universitetit “Isa Boletini”. Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe rektori, Alush Musaj, e kanë vizituar të premten kampusin e ri, ku kanë marrë garancione nga punëkryesi se punët do të kryhen për disa muaj.

 

Ministri Jagxhillar, është interesuar për ecurinë e punës dhe sfidat sa i përket këtij projekti gjigand infrastukturor në Mitrovicë. “Është një kampus model universitar, prandaj jemi shumë të përkushtuar që punët të kryhen me cilësinë më të lartë”, tha ai.

 

Sipas tij, tashmë pothuajse janë tejkaluar disa probleme të pazgjidhura pronësore që kanë qenë, prandaj projekti është në rrugë të mbarë. “Jemi shumë të lumtur që po shohim objekte kaq të bukura që do të jenë në shërbim të studentëve dhe stafit akademik”, theksoi ai.

 

Ndërsa rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, falënderoi ministrin Jagxhillar për mbështetjen dhe interesim e vazhdueshëm për kampusin universitar. “Po presim me padurim dhe jemi duke marrë të gjitha masat e duhura që të vendosemi në objektet e reja sapo të jenë gati. Këto hapësira do të krijojnë kushte jashtëzakonisht të mira për studentët, stafin akademik dhe stafin administrativ”.

 

Ai tha se mungesa e hapësirës ka qenë sfida kryesore për Universitetin “Isa Boletini”, meqë është punuar në disa ojekte të improvizuara të ndërrmarrjes “Trepça”. “Punët janë duke ecur mirë, prandaj shpresojmë që gjithçka të shkoj mirë dhe në 5-vjetorin e themelimit të Universitetit, të vendosemi në objektet e reja”.

 

Kampusi i ri është i shtrirë në një hapësirë prej 17 hektarësh, ku tashmë vetëm sa ka pëfunduar një objekt universitar, ndërsa një tjetër dhe rektorati janë në përfundim. Në kuadër të këtij projekti ka amfiteatro moderne, laboratorë, salla dhe gjithçka kërkohet prej njën objekti modern univëersitar. Në ndërftim e sipër është edhe rregullimi i një parku brenda hapësirës universitare, ndërsa më vonë planifikohet edhe ndërtimi i konviktegeve dhe mensës.