Kandidatët për studentë në nivelin bachelor ju nënshtruan provimit pranues
Kandidatët që kanë aplikuar për t’u pranuar në vitin e parë (niveli bachelor) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), në vitin akademik 2020/21, ju kanë nënshtruar të premten provimit pranues. Provimet kanë kaluar mirë dhe nuk është paraqitur ndonjë problem.
Drejtori për Shërbime Studentore, Kastriot Xhema, tha se përkundër kohës së shkurtër në dispozicion, janë marrë të gjitha masat që provimet të organizohen mirë. “Duke pasur parasysh situatën e krijuar nga Pandemia me Covid-19, mbajtja e provimeve pranuese ka qenë sfidë, mirëpo hapësirat e mjaftueshme kanë lehtësuar gjithçka”.
Sipas tij, kandidatët ju kanë përmbajtur kushteve sa i përket mbrojtjes nga Covid-19, përderisa hapësirat e mjaftueshme kanë mundësuar edhe ruajtën e distancës sociale. “Kandidatët janë njoftuar me kohë për vendin dhe kohën e mbajtjes së provimeve dhe si rrjedhojë gjithçka ka shkuar mirë”, tha ai.
Në konkursin e shpallur për pranimin e studentëve në UMIB në vitin akademik 2020/21, kanë aplikuar gjithsej 943 kandidatë.