Kërkesa e konferencës së rektorëve për veprime urgjente në mbrojtjen e sistemit të arsimit të lartë publik nga degradimi
Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datë 28 janar 2019, ku morën pjesë gjashtë (6) rektorë të Universiteteve Publike, shqyrtoi gjendjen në universitete publike si pjesë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.
Konferenca e Rektorëve konstaton se:
- Institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë i janë nënshtruar një presioni disa vjeçar nga grupet e interesave politike dhe biznesore.
- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka udhëheqë gjithmonë politika parimore në mbrojtje të universiteteve publike.
- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka bashkëpunuar me universitetet publike, përkundrazi e ka penguar zhvillimin e tyre, duke mos proceduar në Kuvendin e Kosovës, statutet e tyre për miratim.
- Është sulmuar autonomia institucionale, akademike dhe financiare e universiteteve publike. Emërimi i anëtarëve të Këshillave Drejtues të universiteteve është bërë mbi baza politike.
- Përjashtimi i Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) nga The European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) është pasojë e kësaj fushate. Gjithashtu, emërimi i anëtarëve të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), është bërë nën trysni politike dhe trysni anti-universitet.
- Vendimet e fundit të AKA për mbylljen e shumë programeve studimore të universiteteve publike, posaçërisht të universiteteve të reja publike (40% të programeve që përfshijnë përafërsisht 70% të studentëve), në mënyrë antiligjore është pjesë e kësaj fushate.
- KSHC ka treguar se është në funksion të grupeve të interesit politik e biznesor, prandaj nuk është e aftë ta ndihmojë arsimin e lartë dhe as ta anëtarësojë AKA në mekanizmat ndërkombëtar.
Konferenca e Rektorëve, duke mbrojtur autonominë institucionale dhe akademike të universiteteve publike, kërkon nga organet kompetente që urgjentisht t’i ndërmarrë veprimet si në vijim:
- Shkarkimi i menjëhershëm i Ministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi.
- Shkarkimi i menjëhershëm i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë,
- Shfuqizimin e vendimeve për tërheqje dhe refuzim të akreditimit për të gjitha programet që kanë qenë të akredituara.
Konferenca e Rektorëve ndërpret të gjitha komunikimet me Ministrin e Arsimit, z. Shyqiri Bytyqi.
Konferenca e Rektorëve kërkon takim urgjent me Presidentin, z. Hashim Thaçi, me kryetarin e Kuvendit, z. Kadri Veseli dhe me kryeministrin, z. Ramush Haradinaj për të gjetur zgjidhje për mbrojtjen e autonomisë së universiteteve publike dhe të sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.
Konferenca e Rektorëve njofton se nga nesër, datë 29 janar 2019, në universitetet publike të Republikës së Kosovës do të fillojë grevë e përgjithshme dhe protesta deri në plotësimin e kërkesave si më sipër.
Klikoni këtu për të parë kërkesën zyrtare në versionin PDF.