Keshilli Kerkimor

Këshilli Kërkimor mori vendim për themelimin e tri grupeve punuese për avancimin e kërkimit shkencor

Këshilli Kërkimor i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) në mbledhjen e mbajtur të hënën ka marrë vendim për themelimin e tri grupeve punuese për avancimin e kërkimit shkencor. Këto grupe do të raportojnë rregullisht progresin e tyre në Këshill, duke kontribuar në zhvillimin strategjik të kërkimit shkencor në UIBM.

Pika e parë e rendit të ditës kishte të bënte me themelimin e një grupi punues për identifikimin e sfidave në implementimin e Planit Strategjik Kërkimor, me qëllim që të evidentohen pengesat praktike dhe të propozohet një qasje e strukturuar për tejkalimin e tyre. Në pikën e dytë u diskutua për themelimin e një grupi punues për shqyrtimin dhe krahasimin e Planit Strategjik Kërkimor 2022–2026 të UIBM me Programin Kombëtar për Shkencën 2023–2028, në funksion të harmonizimit të objektivave institucionale me prioritetet kombëtare në fushën e kërkimit shkencor.

Ndërsa, pika e tretë kishte të bënte me themelimin e një grupi punues për pjesëmarrje në takimet e Regional Cooperation Council, për të kontribuar në zhvillimin e një Toolkit-i për Transferimin e Njohurive për Ballkanin Perëndimor. Ky toolkit ka për qëllim të mbështesë institucionet e arsimit të lartë që dëshirojnë të përfshihen më aktivisht në aktivitetet e transferimit të njohurive, duke adresuar sfidat praktike dhe mungesën e mjeteve për krijimin e partneriteteve të reja.