Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike, mbajti mbledhjen e radhës
Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, do të vazhdojë përpjekjet për shndërrimin e universiteteve publike në organizata të pavarura buxhetore, të cilat tani për tani janë nënprograme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Për këtë dhe tema të tjera me rëndësi për universitetet publike u diskutua në mbledhjen e fundit të Konferencës së Rektorëve, që u mbajt më 16 dhjetor 2021 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
U bë e ditur se kërkesa për shndërrimin e universiteteve publike në organizata të pavarura buxhetore ju ka dërguar komisioneve përkatëse të Kuvendit të Kosovës (Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Sport dhe Rini), mirëpo që nuk kanë marrë përgjigje. Si rrjedhojë u mor vendimi që kërkesa drejtuar këtyre komisioneve të përsëritet, me shpresë për të marrë përgjigje pozitive.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për përgatitjet lidhur me organizimin e Konferencës së radhës, që do të mbahet më 4 mars 2022 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku do të diskutohet për profilizimin e universiteteve publike. Rektorët e universiteteve publike gjithashtu u dakorduan që në qershor të vitit 2022 në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren të organizohet edhe një mbledhje tjetër, ku do të diskutohet për qëndrueshmërinë financiare të universiteteve.