Konvikti dhe mensa planifikohet të jenë gati në tetor të vitit 2021
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, ka vizituar vendpunishten ku është duke u ndërtuar konvikti dhe mensa e studentëve në kampusin universitar. Ai ka parë për së afërmi punën që është bërë deri me tani në ndërtimin e këtyre dy objekteve, të cilat planifikohet të kryhen në tetor të vitit të ardhshëm.
Rektori u njoftua nga përgjegjësit e kompanisë që është duke kryer punimet se gjithçka është duke shkuar mirë dhe sipas dinamikës së paraparë. Ata gjithashtu theksuan se në bazë të ecurive të punimeve objektet do të jenë gati ashtu siç është planifikuar.
Ndërtimin e këtyre dy objekteve në kampusin universitar, rektori Musaj, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme për UMIB-in. Sipas tij, konvikti dhe mensa do të krijojnë kushte edhe më të mira për studentët dhe në përgjithësi do të kompletojmë infrastrukturën e UMIB-it.
Ai shprehu kënaqësinë që pas riakreditimit insitucional, të rinjtë do të mund të regjistrohen në programet që ofrohen në UMIB dhe ku do të gjejnë kushte jashtëzakonisht të mira për studime. “Jemi shumë të kënaqur me kushtet e krijuara dhe mirëpresim të rinjtë që sivjet do të bëhen pjesë e UMIB-it”, tha ai.
Ndryshe, mensa do të ketë 2.920 metra katrorë, ndërsa konvikti 7.896 metra katrorë.