Marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), do bashkëpunojnë në fushat me interes të përbashkët. Për këtë qëllim të hënën u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi nga rektori, Alush Musaj dhe kryetari i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, i cili gjatë vizitës në Universitet shoqërohej edhe nga anëtarët tjerë të bordit.
Rektori Musaj, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy insitucioneve është me interes, duke pasur parasysh fushat e studimit që ofrohen në Universitetin “Isa Boletini”. “Nga marrëveshja do të përfitojnë në radhë të parë studentët, të cilët do të mund të kryejnë praktikën në KPMM”.
Ndërsa, kryetari i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, tha se marrëveshja ka rëndësi për të dy institucionet. “Do të avancojmë bashkëpunimin në fushat e studimit që ofrohen në Universitetin “Isa Boletini” dhe që janë në funksion të KPMM-së”.
Ndër të tjera në kuadër të marrëveshjes parashihet që të studentët të ndihmohen nga KPMM-ja për përfundimin e punës praktike si dhe me literaturë për projektet e ndryshme shkencore. Gjithashtu planifikohet që studentëve t’u ofrohet edhe mbështetje teknike për realizimin e punimeve të diplomave në të gjitha nivelet që kanë të bëjnë me sektorin minerar.