ARZHV

Marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë për Zhvillim Rajonal – Veri

Me qëllim të krijimit të mundësive me të mëdha për trajnimin e studentëve në fusha të ndryshme me interes për ngritjen e tyre profesionale, Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) do të bashkëpunoj ngushtë me Agjencinë për Zhvillim Rajonal – Veri (ARZHV). Për konkretizimin e obligimeve dhe përgjegjësive për secilën palë, të premten është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UMIB-it dhe ARZHV-së të përfaqësuar nga rektori, Alush Musaj dhe drejtoresha ekzekutive, Rreze Duli.

Marrëveshja u vlerësua si rrjedhojë e interesit reciprok, por edhe atë të përbashkët në të mirë të komunitetit, UMIB-it dhe ARZHV-së. Në bazë të kësaj marrëveshje synohet që të lehtësohet realizimi i nismave dhe projekteve të ndryshme që ndërlidhen me natyrën e UMIB-it dhe  karakterin e aktiviteteve që realizon AZHRV-ja.

Rektori Musaj, tha se përfitues do të jenë studentët e UMIB-it dhe të rinjtë e rajonit që do t’u mundësohet pjesëmarrja në trajnime dhe aktivitete që kanë të bëjnë me avancimin profesional si dhe AZHRV-ja, që do të shfrytëzoj kapacitetet e UMIB-it për këto aktivitete. “UMIB-i, përkatësisht QZHK-ja do të përkujdeset për njoftimin dhe organizimin e  studentëve dhe të rinjve për aktivitetet që organizon AZHRV -ja në UMIB, në mënyrë që pjesëmarrja të jetë në nivel”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e ARZHV-së, Rreze Duli, tha se do të organizohen trajnime, seminare dhe vizita studimore që ndërlidhen me avancimin profesional të studentëve, të rinjve të rajonit, zyrtarëve dhe vullnetarëve të angazhuar në QZHK. “AZHRV-ja do t’ua mundësojë studentëve të UMIB-it të kryejnë praktikën profesionale në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës”, tha ajo.

Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet UMIB-it dhe AZHRV -së do të zgjas 3-vjet.