Uni3

Marrëveshje Bashkëpunimi me Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” Sh.A

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” Sh.A, në çështje me interes reciprok. Për të përcaktuar qëllimet dhe fushat e bashkëpunimit, të premten u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe Kryeshefi Ekzekutiv i “Uniteti” Sh.A, Ylber Murtezaj.

Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është të vendosë dhe zhvillojë një bashkëpunim të ndërsjellë mes UIBM dhe Kompanisë “Uniteti”, duke përmbushur objektivat si në vijim: Organizimi i aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes mbi menaxhimin e mbeturinave në nivelin universitar dhe lokal, Lehtësimi i praktikave profesionale për studentët e UIBM në fushën e menaxhimit të mbeturinave si dhe Zhvillimi i projekteve të përbashkëta shkencore dhe studimore për mbrojtjen e mjedisit.

Ndërsa si pika konkrete bashkëpunimi janë paraparë edukimi dhe trajnimi, ku përfshihen organizime të seminareve, punëtorive dhe fushatave edukuese mbi riciklimin dhe menaxhimin e mbeturinave. Një fushë tjetër me rëndësi paraqet organizimi i praktikave profesionale, ku bën pjesë lejimi i studentëve të UIBM që të zhvillojnë praktikë profesionale në kompani. Një tjetër fushë është cekur edhe  hartimi i projekteve të përbashkëta që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave.

Rektorja Deva, vlerësoi se kjo marrëveshje hap  mundësi si për UIBM ashtu edhe kompaninë
“Uniteti”, duke pasur parasysh edhe natyrën e programeve teknike që ka Universiteti, duke përfshirë edhe programin e mjedisit. Një marrëveshje të mirë dhe me interes reciprok e  ka vlerësuar edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë “Uniteti”, Ylber Murtezaj, i cili falënderoi drejtuesit e UIBM për qasjen korrekte dhe gatishmërinë për bashkëpunim.

Uni3