REC

Marrëveshje bashkëpunimi me OJQ  REC – “Reconciliation Empowering Communities”

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me OJQ  REC – “Reconciliation Empowering Communities” për çështje me interes reciprok për të dy palët. Për specifikimin e fushave të bashkëpunimit të enjten u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektori i UIBM, prof.dr.Alush Musaj dhe drejtori  i OJQ REC, Besnik Uka.

Rektori Musaj, tha se qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi, mbështetja dhe bashkërendimi i aktiviteteve në mes të subjekteve të lartcekura. “Memorandumi synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok”, tha ai, duke falënderuar drejtuesit e OJQ REC për qasjen e tyre korrekte.

Ndërsa, drejtori Uka tha se nëpërmjet këtij memorandumi palët do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale përmes: bashkëpunimit në zhvillimin e moduleve dhe programeve të ndryshme të studimit, realizimit të punës praktike për studentët e UIBM. Ai vlerësoi punën e mirë dhe angazhimin e Qendrës për Zhvillim të Karrierës në UIBM për arritjen e bashkëpunimit.

Ndryshe, si fusha tjera të bashkëpunimit janë paraparë shkëmbimet e përvojave, praktikave të mira, ekspertëve dhe literaturës përkatëse për zhvillimin institucional, me qëllim të avancimit profesional dhe akademik të studentëve. Poashtu planifikohet punë e përbashkët për hartimin e programeve hulumtuese dhe kërkimore komform kërkesave dhe interesave dypalëshe, mandej organizimin e përbashkët, të veprimtarive shkencore dhe profesionale si: simpoziume, seminare, konferenca, tryeza, shkolla verore, trajnime etj si dhe ndikimit pozitiv në përafrimin e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës.

Gjithashtu në Memorandum janë specifikuar edhe përgjegjësitë që kanë palët për jetësimin  e bashkëpunimit.