SHMLT

Marrëveshje bashkëpunimi me Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Arkitekt Sinani”

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Shkolla e Mesme e Lartë Teknike “Arkitekt Sinani”, do të bashkëpunojnë ngushtë duke mbështetur dhe bashkërenduar aktivitet me interes të ndërsjellë. Për këtë qëllim të hënën u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre institucioneve nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe drejtori i SHMLT “Arkitekt Sinani”, mr. sc. Sami Rama.

Marrëveshja synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok. Në këtë kuadër palët do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale.

Ndër të tjera parashihet zhvillimi i moduleve dhe programeve të ndryshme të studimit,  realizimi i punës praktike për nxënësit e shkollës “Arkitekt Sinani” në Universitetin “Isa Boletini”,  shkëmbimet e përvojave, praktikave të mira dhe literaturës përkatëse për zhvillimin institucional etj. Rektori Musaj dhe drejtori Rama, vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve do të krijojë kushte dhe rrethana për rritjen e interesimit të të rinjve për të studiuar fushat teknike.

Rektori Musaj, u zotua të vë në dispozicion të nxënësve të SHMLT “Arkitekt Sinani”, kabinetet dhe laboratorët për të lehtësuar punën e tyre praktike. Në anën tjetër, drejtori Rama, u shpreh shumë mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga UIBM.