SHKSH

Marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Kosovare të Shurdhërve

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Shoqatën Kosovare të Shurdhërve (SHKSH) me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve me interes të përbashkët edukativ dhe kulturor. Për të specifikuar fushat me interes reciprok u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve nga rektori, prof.dr. Alush Musaj dhe përfaqësuesi i SHKSH -së, Nebih Cakaj.

Bashkëpunimi do të mbështetet mbi bazën e parimeve demokratike dhe në pajtim me autonominë dhe lirinë e veprimtarisë të të dyja palëve. Palët zotohen që të marrin në shqyrtim nevojat e përbashkëta gjatë bashkëpunimit të tyre, me qëllim për të përfituar nga zhvillimi i aktiviteteve me interes te përbashkët edukativ dhe kulturor.

Sa i përket fushave të bashkëpunimit, janë përcaktuar pika të ndryshme si: avokimi për personat e shurdhër, të cilët përdorin gjuhën e shenjave, bashkëpunimin në krijimin dhe organizimin e shërbimeve për studentët e shurdhër, promovimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e programeve edukative si dhe shërbimeve mbështetëse, të cilat përputhen me kërkesat dhe nevojat specifike të studentëve të rritur të shurdhër. Gjithashtu palët do të bashkëpunojnë në zhvillimin e hulumtimeve dhe studimeve në të gjitha fushat e shurdhësisë si dhe promovimin e njohjes dhe pranimit të metodave të komunikimit që preferohen nga personat e shurdhër.