
Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Tetovës
Një delegacion i Universitetit të Tetovës, i udhëhequr nga rektori, prof.dr. Jusuf Zejneli, ka vizituar të premten Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ku janë pritur nga rektorja, prof.dr.Nurten Deva me bashkëpunëtorë. Gjatë këtij takimi është nënshkruar edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve nga rektorja Deva dhe rektori Zejneli.
Në marrëveshjen e nënshkruar janë specifikuar qëllimet dhe fushat e bashkëpunimit si dhe detyrat dhe përgjegjësitë për palët nënshkruese. Ndër të tjera është paraparë mobiliteti i stafit akademik dhe studentëve, organizimi i ndonjë programi të përbashkët studimor, konferenca dhe aktivitete të përbashkëta me qëllim të krijimit të mundësive më të mëdha për komunitetin universitar.
Rektorja Deva e ka falënderuar rektorin e Universitetit të Tetovës për vizitën dhe gatishmërinë për bashkëpunim në fusha të rëndësishme për të dy palët. Ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqiptare, shkëmbimin e përvojave dhe ofrimin e mbështetjes për njëri-tjetrin.
Rektori i Universitetit të Tetovës, prof.dr. Jusuf Zejneli, ka falënderuar rektoren dhe stafin e UIBM për pritjen dhe qasjen korrekte sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve. Ai theksoi se për Mitrovicën si një qytet të minatorëve dhe me një traditë akademike, kanë një ndjeshmëri të veçantë meqë shumë shqiptarët nga Maqedonia kanë studiuar aty.
Delegacioni nga Universiteti i Tetovës i shoqëruar nga drejtuesit e UIBM ka vizituar edhe Urën e Ibrit, si një lokacion që ka tërhequr vëmendjen e opinionit për shkak të rrethanave që ka pasur Mitrovica pas luftës.