
Marrëveshje Bashkëpunimi midis Fakultetit Ekonomik dhe Melita & Partners SH.P.K.
Më 5 Mars 2025, në ambientet e Fakultetit Ekonomik, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe kompanisë Melita & Partners SH.P.K. Në emër të Fakultetit Ekonomik, në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë: Prof. Asoc. Dr. Qazim Tmava, Dekan, i cili nënshkroi marrëveshjen, Prof. Dr. Esat Durguti, Prodekan për Kërkime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Ass. Dr. Filloreta Kunoviku-Demiri, Prodekane për Mësim dhe Cilësi. Ndërsa, në emër të Melita & Partners SH.P.K, marrëveshjen e nënshkroi Bashkëthemeluesja dhe Kryeshefe Ekzekutive e kompanisë, Znj. Melita Ymeraga.
Ky bashkëpunim synon të fuqizojë lidhjen midis akademisë dhe sektorit privat, duke kontribuar në avancimin e programeve studimore përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe përvojave. Marrëveshja përfshin një gamë të gjerë fushash me interes të ndërsjellë për programin studimor, studentët, stafin akademik dhe kompaninë Melita & Partners SH.P.K. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, studentëve do t’u ofrohet mundësia për të zhvilluar praktika profesionale, të ndjekin trajnimet e certifikuara në fushën e kontabilitetit përmes programit QuickBooks, i cili përdoret gjerësisht në nivel global. Gjithashtu, marrëveshja përfshin shkëmbimin e ligjëratave nga ekspertë të fushës (guest speakers), organizimin e konferencave të përbashkëta, si dhe një komponent të veçantë të këshillimit për të dyja palët, me qëllim avancimin e njohurive dhe praktikave bashkëkohore. Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërlidhjen e edukimit akademik me nevojat e tregut të punës, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin profesional të studentëve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.