Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave UIBM
Me qëllim të avansimit të bashkëpunimit në mes të Universitetit “Isa Boletini” konkretisht Fakultetit të Gjeoshkencave dhe Ministrisë së Ekonomisë, zëvendës drejtori Ekzekutiv i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës (SHGJK), Luan Morina dhe Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Naser Peci sot kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi të lidhur ndërmjet SHGJK-së dhe Fakultetit të Gjeoshkencave, është caktimi i hapësirës në kuadër të Fakultetit të Gjeoshkencave, për krijimin e kushteve për vendosjen dhe funksionalizimin e pajisjeve laboratorike të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës si dhe caktimin e hapësirës në kuadër të kampusit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, për ndërtimin e një objekti me qëllim të vendosjes dhe ruajtjes së mostrave / bërthamave nga aktivitetet gjeologjike.
Po ashtu, përmes kësaj marrëveshje përcaktohet mënyra e shfrytëzimit të ndërsjellët të pajisjeve laboratorike të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Fakultetit të Gjeoshkencave si dhe organizimin e konferencave të ndryshme shkencore për qëllime të promovimit të sektorit minerar.
Për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje janë përgjegjës krerët e të dyja institucioneve në mënyrë që të dyja palët të monitorojnë dhe sigurojnë zbatimin e marrëveshjes në fjalë.