Marrëveshje Mirëkuptimi për Fulbright Asistent për Gjuhë Angleze
Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunoj ngushtë me Seksionin e Diplomacisë Publike në Ambasadën Amerikane sa i përket krijimit të mundësive për mbështetjen e Fulbright Asistentit për Gjuhë Angleze (ETA). Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një Marrëveshje Mirëkuptimi nga dekani i Fakultetit të Edukimit, prof.dr. sc. Besim Gollopeni dhe Wendy K. Barton nga Zyra për Diplomaci Publike në Ambasadën Amerikane.
Sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit, partnerët pajtohen që të promovojnë mësimin e gjuhës angleze në komunitet. Asistentët në kuadër të ETA-së përveç ndihmës që do të ofrojnë sa i përket mësimit të gjuhës angleze, do të shërbejnë edhe si ambasadorë të kulturës dhe historisë kombëtare.
Përderisa UIBM do të siguroj prani të vazhdueshme të stafit akademik për gjuhën angleze, Fulbright asistenti do të organizoj aktivitete që kanë të bëjnë me kulturën, shoqërinë dhe historinë e Shteteve të Bashkuara. Asistenti i gjuhës angleze, sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit, do të shërbej 9 muaj.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof.dr. sc. Besim Gollopeni, falënderoi Ambasadën Amerikane për mbështetje sa i përket realizimit të kësaj marrëveshjeje. Ai vlerësoi se asistenti për mësimin e gjuhës do të ndihmoj shumë studentët në përvetësimin e gjuhës angleze.