Marrëveshje për shkëmbim të studentëve dhe mësimdhënësve me Universitetin e Bohumit
Drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe ata të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bohumit, kanë nënshkruar një marrëveshje për shkëmbimin e studentëve dhe mësimdhënësve. Në këtë kuadër parashihet që 8 studentë dhe 4 mësimdhënës të Universitetit “Isa Boletini” të shkojnë në Universitetin e Bohumit.
Poashtu, sipas marrëveshjes së nënshkruar, parashihet që 4 mësimdhënës nga Universiteti i Bohumit të mbajnë ligjërata në Universitetin “Isa Boletini”. Kjo marrëveshje ndërmjet dy universiteteve është arritur në kuadër të një projekti të “Erasmusplus”.
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, i cili ka vizituar Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bohumit, së bashku me prorektorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Rifat Morina, tha se marrëveshja do të jetë një mundësi shumë e mirë për studentët, por edhe mësimdhënësit. “Ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me këtë Universitet kohë më parë, mirëpo tani pritet që të bëhen hapa konkret në këtë drejtim”.
Ai falënderoi rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bohumit, Jurgen Kretschman, për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim. “Kjo marrëveshje me këtë Universitet, ashtu si me shumë universitete tjera në rajon, në Evropë, por edhe në SHBA, po hap shtigje të reja për studentët dhe mësimdhënësit tanë”, tha rektori Musaj.
Në anën tjetër, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Bohumit, Jurgen Kretschman, tha se marrëveshja me Universitetin “Isa Boletini”, është një mundësi e mirë për kompanitë gjermane. “Kosova është një vendburim i pasur me plumb, zink, argjend, ari, qymyr dhe kadmium. Për zhvillimin e një industrie të fortë minerare, kërkohet ekspertizë dhe profesionistë të kualifikuar. Bashkëpunimi në këtë fushë ofron mundësi për të hapur tregje të reja për kompanitë e minierave dhe furnizimit për Gjermaninë. Studentët tanë mund të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare përmes bashkëpunimit me Mitrovicën”, tha ai.