Mbahet dita informuese për projektet dhe bursat e programit Erasmus+
Në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë u mbajt dita informuese për projektet dhe bursat e organizuar nga Zyra Erasmus+ Kosovë në të cilën morën pjesë profesorë dhe studentë. Programi Erasmus+ mbështet edukimin, trajnimin, rininë dhe sportin.
Dita informuese u hap nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, Prof. Behxhet Shala, i cili falënderoi zyrtarët e Erasmus+ për organizimin e këtij sesioni informues. Ai e vlerësoi këtë si një mundësi të mirë për profesorët dhe studentët e UMIB-it.
Prorektori Shala theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjen e kapaciteteve në kuadër të programit Erasmus+ dhe i inkurajoj të gjithë, profesorë apo studentë që të aplikojnë sa më shumë në këtë program.
Thirrja 2021-2027 e programit Erasmus+ ofron mundësi të shumta për institucionet e arsimit të lartë. Kjo thirrje përfshinë Mobilitetin Ndërkombëtar, Joint Master Erasmus Mundus, Ngritja e Kapaciteteve për Edukimin e Lartë, Aktivitete Jean Monnet. Zyrtarët e Erasmus+ i njoftuan të pranishmit për procedurat e aplikimit në këtë program, duke bërë të ditur se thirrja për aplikim tashmë është hapur.
Projektet e suksesshme Erasmus+ në implementim në UIBM u prezantuan nga koordinatori për kërkime shkencore MSc. Arbër Hyseni. UIBM ka përfituar mobilitete të profesorëve dhe studentëve, ngritjen e kapaciteteve, zhvillimin e mësimdhënies dhe të nxënit, përmirësim të kurrikulës pajisje, etj.