Mbahet takimi fillestar i projektit për digjitalizimin e planifikimit të Resurseve të UIBM (Enterprise Resource Planning- ERP)
Digjitalizimi i planifikimit të Resurseve të UIBM (Enterprise Resource Planning – ERP) është projekti i radhës i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, i cili po përkrahet nga HERAS+. Në takimin fillestar të projektit z. Nehat Dervishi – përfaqësuesi i HERAS+ fillimisht njoftoi përfaqësuesit e UIBM me ekspertin e angazhuar në këtë projekt. Në takim u fol për qëllimin, synimet dhe objektivat e projektit; u definuan fazat dhe kohëzgjatja e projektit, plani i komunikimit si dhe angazhimi i palëve të interesit.
Digjitalizimi i planifikimit të resurseve të UIBM konsiderohet nga UIBM si një hap shumë i rëndësishëm në çështjet e funksionalizimit dhe transparencës, rritjes së efikasitetit dhe efiçencës, përmirësimit të performancës së shërbimeve për studentët dhe stafin si dhe reduktimin e shpenzimeve buxhetore. Digjitalizimi i planifikimit të resurseve, përveç se avancon funksionimin e institucioneve, ka edhe efekte pozitive në mjedis, sepse bazohet në parimin e “operacioneve pa letra”. Vlen të theksohet që UIBM është universiteti i parë publik në Kosovë që me anën e këtij projekti ka inicuar digjitalizimin e planifikimit të Resurseve të tij.