(Aspekte të zbatimit të reformës arsimore – kurrikulës)
DATA: 1-2 Dhjetor 2022
Të nderuar punëtorë shkencorë, hulumtues dhe profesionistë nga fusha e arsimit parauniversitar. Afër një dekadë pas fillimit të reformës kurrikulare dhe pesë vjet nga fillimi i zbatimit në të gjitha shkollat, sfidat dhe ankesat e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, janë të përditshme.
Ende ka paqartësi dhe dilema për aspekte të veçanta të përmbajtjes, qasjes dhe zbatimit të KK së re.
Studimet e viteve të fundit, që lidhen me reformën kurrikulare në Kosovë, kryesisht kanë një përqendrim të trajtimit tematik të aspekteve, të lidhura me përgatitjet për zbatimin e kurrikulës, pilotimin e saj, shtrirjen e zbatimit, sfidat në zbatim, etj., pa një fokusim të thelluar në trajtimin e aspekteve të mbingarkesës kurrikulare.
Vendet e OECD-së kanë realizuar një analizë të mbingarkesës në arsim (Curriculum Overload: A Way Forward,, OECD (2020)) . Studimi adreson aspekte të mbingarkesës kurrikulare në katër dimensione, të cilat mund të shërbejnë si orientim edhe për kontekste dhe sisteme të tjera arsimore.
Trajtimi i mbingarkesës kurrikulare dhe ndikimit të saj në arritshmerinë e nxënësve, në mirëqenien e nxënësve dhe të mësimdhënësve, në aspekte tematike të ndryshme, praktike dhe teorike, ofrimi i evidencave shkencore dhe hapja e debatit profesional dhe shkencor për strategjitë dhe mundësitë e ndikimit në përcaktimin e politikave vijuese për këtë çështje. Konferenca është e hapur për të gjithë të interesuarit dhe ekspertët e fushave të zbatimit të kurrikulës dhe të reformës. Një pasqyrë reale për këto aspekte është vlerë e shtuar për vendimmarrësit dhe kahet e zhvillimit të sistemit arsimor.
Ju ftojmë të dërgoni punimet dhe trajtesat tuaja për prezantim në konferencë.