Mbyllet “Konferenca IV Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat (IMGC 2022)”
“Konferenca IV Ndërkombëtare Multidisiplinare për Gjeoshkencat (IMGC 2022)”, që u mbajtë me 13 dhe 14 tetor 2022 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), u vlerësua shumë e suksesshme nga ana e pjesëmarrësve. Pas ditës së parë ku u mbajtën sesionet e ndara sipas fushave të caktuara, në ditën e dytë pjesëmarrësit vizituan vende të ndryshme në Kosovë, si: “Punishtja e vjetër e minierës së Stan Tërgut”, “Muzeu i kristaleve të Trepçës” në Stan Tërg, “Shpella e mermerit” në Gadime dhe “Bifurkacioni i lumit Nerodime” në Ferizaj.
Në të gjitha këto vizita pjesëmarrësit u njoftuan edhe për karakteristikat dhe veçoritë e atyre vendeve. Aktiviteti zgjoi interesimin dhe kërshërinë e pjesëmarrësve, që pos nga vendi dhe rajoni ishin edhe nga shtete të ndryshme evropiane etj.
Në edicionin e IV të kësaj konference, që tradicionalisht organizohet nga Fakulteti i Gjeoshkencave në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë (Departamenti i Minierave dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës) dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, janë paraqitur 38 referues.