Handikos

Memorandum bashkëpunimi me “Handikos Mitrovica”

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Shoqatën e Personave me Aftësi të Kufizuara të Mitrovicës “Handikos Mitrovica”, për të bashkërenduar aktivitetet  e përbashkëta dhe për të promovuar përpjekjet e dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok. Me qëllim të specifikimit të fushave me rëndësi, të martën është nënshkruar edhe një Memorandumi Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe drejtoresha e “Handikos Kosova”, Myrvete Hasani.

Ndër fushat e identifikuar të bashkëpunimit që janë cekur në Memorandum janë: Bashkërendimi i aktiviteteve për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale përmes punës praktike në “Handikos Mitrovica” për studentët e UMIB, mbështetja teknike dhe organizative dypalëshe, realizimi i formave të ndryshme të bashkëpunimit konform vullnetit dhe interesit të përbashkët. Gjithashtu bashkëpunimi do të shtrihet edhe në aktivitet vullnetare të përbashkëta, aplikimin në projekte të përbashkëta për aftësinë e kufizuar etj.

Rektorja Deva, e cila në takim shoqërohej edhe nga prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi dhe prorektori për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, prof.ass.dr. Bahtir Hyseni, shprehu mbështetjen e saj për punën e “Handikos Kosova”. Ajo theksoi se UIBM ka krijuar një infrastrukturë të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara me qëllim të lehtësimit të qasjes.

Drejtoresha e “Handikos Kosova”, Myrvete Hasani, falënderoi rektoren Deva për mbështetjen dhe mundësitë  e krijuara për këtë kategori të shoqërisë.