Memorandum Bashkëpunimi me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Francë
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunojë me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Francë (Institut de Coopération et Développement), me qëllim të promovimit dhe bashkëpunimit akademik, arsimor dhe kulturor mes dy institucioneve. Për specifikuar fushat e bashkëpunimit, të hënën u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve, nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe presidenti i IBIZHI-it, Tahir Shabani.
Ndër pikat e cekura për bashkëpunim parashihet krijimi i mundësive për rrjetëzim dhe shkëmbim reciprok të mësimdhënësve, personelit të kërkimit, studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, vizita dhe shkëmbim të përvojave me universitetet e ndryshme Frankofone nga Franca dhe Zvicra – Evropë. Një tjetër është pjesëmarrja e përbashkët dhe aplikimi për fonde të caktuara për arsim, kërkim dhe aktivitete të tjera artistike dhe kulturore.
Në memorandum përfshihen edhe fusha tjera bashkëpunimi, si aktivitete të përbashkëta arsimore, trajnuese ose kërkimore, organizimin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve, kurseve, shkollave verore, dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët dhe shkëmbimin e informacionit në fushat me interes për të dyja palët. Megjithatë në dokument theksohet se bashkëpunimi nuk do të jetë i kufizuar vetëm brenda këtyre fushave.
Nënshkrimin e këtij Memorandumi Bashkëpunimi e kanë vlerësuar të rëndësishëm të dyja palët. Rektorja Deva, e cila në takim shoqërohej edhe prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi dhe prorektori për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, prof.dr. Sabri Avdullahi, e ka falënderuar presidentin e IBIZHI-t për mundësitë e ofruara që do të hapin shtigje të reja për stafin akademik dhe studentët. Ndërsa, presidenti, Shabani, e ka vlerësuar qasjen korrekte dhe gatishmërinë për bashkëpunim nga ana e drejtuesve të UIBM.