Memorandum Bashkëpunimi me KRU “Mitrovica”
Studentët e drejtimeve teknike në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të mund të kryejnë punën praktike dhe hulumtimet profesionale në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” (KRU). Për të precizuar kushtet e angazhimit të studentëve, të hënën është nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe kryeshefi ekzekutiv i KRU-së, Bashkim Kurti.
Qëllimi i këtij Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet UIBM dhe KRU-së është ngritja profesionale e studentëve. Në këtë kontekst, studentëve u lejohen vizitat studimore nëpër ambientet e KRU-së, punimet e diplomës, praktikat profesionale, projektet e përbashkëta hulumtuese dhe fusha të tjera me rëndësi për të dy palët.
Rektorja Deva e ka falënderuar kryeshefin e KRU-së për bashkëpunimin dhe mundësitë e krijuara për studentë. “Është jashtëzakonisht një mundësi e mirë për studentët tanë që të shfrytëzojnë kapacitetet e KRU-së për ngritjen e tyre profesionale”, tha ajo.
Ndërsa, kryeshefi i KRU-së, Bashkim Kurti, ka shprehur kënaqësinë që mund të mbështesin studentët për pjesën praktike. Ai ka vlerësuar qasjen e menaxhmentit sa i përket bashkëpunimit që është me interes reciprok për UIBM dhe KRU-në.