
Memorandum Bashkëpunimi me Mitrovica Women Association for Human Rights
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR), me qëllim të mbështetjes dhe bashkërendimit të aktiviteteve. Për të specifikuar fushat e bashkëpunimit, të hënën u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi, nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe Vetone Veliu, drejtoreshë e MWAHR.
Në memorandum janë specifikuar fushat e bashkëpunimit që synon të promovojë përpjekjet e përbashkëta të dy institucioneve në sferën e avancimit të çështjeve me interes reciprok. Në këtë kuadër është paraparë që palët të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në fushën e avancimit të jetës akademike dhe profesionale përmes realizimit të punës praktike në Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR) për studentët e Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Gjithashtu janë përcaktuar edhe obligimet për palët nënshkruese. Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë mbështet takimet dhe aktivitetet e stafit të organizatës me palët siç janë: zyrtarët e universitetit, studentët, të diplomuarit, dhe Qendrën për Zhvillim të Karrierës. Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë mund të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga programet e Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR).