Memorandum Bashkëpunimi me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Republikës së Kosovës
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) me qëllim të zgjerimit të veprimtarisë së përbashkët akademike dhe aktiviteteve kërkimore, shkencore dhe kulturore.
Rektori i UIBM, Prof.Dr. Alush Musaj dhe Prorektorja për buxhet dhe financa Prof. Asoc. Dr. Ajtene Avdullahi mirëpritën sot Kryetarin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Republikës së Kosovës Prof. Ass. Dr. Hysen Sogojeva, si dhe përfaqësuesin e bizneseve në sektorin e Hotelerisë dhe Turizmit në regjionin e Mitrovicës Z. Naim Sylejmani. Në këtë takim u bisedua për mundësitë e shumta të bashkëpunimit të Universitetit me komunitetin e biznesit në sektorin e hotelerisë dhe turizmit.
Për të specifikuar fushat e bashkëpunimit, rektori Musaj dhe kryetari i Odës profesori Sogojeva nënnshkruan sot në UIBM memorandum bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve..
Memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim shtrirjen dhe zgjerimin e veprimtarisë së përbashkët, zgjerimin e mundësive për projekte, ndihmën reciproke për promovimin e vlerave të përbashkëta e në theks të veçantë inkurajimin e nismave me qëllim të aftësimit të studentëve që njohurit e tyre teorike t’i përdorin edhe në praktikë.
Të dy palët u zotuan se do të sigurojnë lidhjen në mes të studentëve dhe kompanive turistike dhe hoteliere që janë anëtare të OHTK-së.