Mareevesha

Memorandum Bashkëpunimi me Shukos/PRU- K

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Shukos /PRU-K (Profesionistëve të rinj të ujit në Kosovë) në përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta, që do të kontribuojnë në ndërtimin e kapaciteteve për profesionistët e rinj të ujit. Për të specifikuar përgjegjësitë dhe obligimet ndërmjet palëve, të premten u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, drejtori ekzekutiv i Shukos, Abdullah Dërguti dhe kryesuesi i PRU-K, Albert Salltakaj.

Shukos është Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit në Kosovë dhe është e regjistruar si një organizatë jofitimprurëse e anëtarëve dhe themeluesve të saj-Kompanitë Rajonale të Ujit (SHKK), sipas Ligjit Nr. 06 / L-043 të Republikës së Kosovës, dhe funksionon sipas Ligjit Nr. 03/L-134. Ajo vepron si një lidhje midis anëtarëve të saj në zhvillimin, promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të sektorit të ujësjellësit dhe kanalizimit, drejt qëndrueshmërisë.

Qëllimi i PRU-K është të sigurojë informacione dhe aktivitete që synojnë të përmirësojnë krijimin e rrjeteve të ndryshme midis profesionistëve të rinj në sektorin e ujit, si dhe të mundësojnë mundësi të karrierës për gjeneratat e ardhshme, duke rritur kështu vlerën e kontributit të tyre në qëndrueshmërinë e përgjithshme të sektorit.

Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit, është paraparë që UIBM të emërojë një person kontakti për t’u angazhuar në komunikim me Shukos/PRU-K në lidhje me përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta siç përshkruhet në këtë memorandum. Gjithashtu do të mbështesë zbatimin e aktiviteteve të secilës palë në arsim, ndërgjegjësim dhe aktivitete të marrëdhënieve me publikun, si pjesë e përfshirjes së palëve të tyre të interesit dhe nismave të rrjetit.

Ndërsa, PRU-K merr përgjegjësi që të angazhojë  studentët që janë të interesuar të kontribuojnë në organizatën PRU-K, nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, seminareve, konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare etj. Palët do të bëjnë përpjekjet më të mira për të mbajtur njëri-tjetrin të informuar dhe këshilluar për çështje me interes të përbashkët, të cilat sipas mendimit të tyre, ka të ngjarë të çojnë në bashkëpunim të ndërsjellë.