Memorandum Bashkëpunimi me Universitetin Europian të Tiranës
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Universitetin Europian të Tiranës (UET), në fusha të caktuara ku të dyja palët ushtrojnë aktivitetet e tyre kryesore. Për të përcaktuar fushat dhe mënyrat e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë, të martën u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe rektori i UET, prof.dr. Tonin Gjuraj.
Sipas Memorandumit të Bashkëpunimit, pikat kryesore ku do të fokusohet bashkëpunimi do të jenë: Kualifikimi i specializimeve, konsulenca, praktika profesionale dhe mbështetja për punësim, projektet studimore si dhe partneritete në projekte të ndryshme. Sa i përket të drejtave dhe obligimeve, institucionet marrin përsipër që në përputhje me interesat institucionale, mundësitë e tyre dhe kapacitetet përkatëse, të vendosin në dispozicion të njëra-tjetrës të gjitha burimet njerëzore dhe materiale për arritjen e qëllimeve që parashikon Memorandumi i Bashkëpunimit.
Për implementimin e këtij Memorandumi ndërmjet UIBM dhe UET janë caktuar edhe personat përgjegjës. Nga UIBM është caktuar, prof.asoc.dr. Islam Qerimi, dekan i Fakultetit Juridik, ndërsa nga UET, prof. asoc. dr. Juelda Lamçe, dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.