Juridiku,

Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Juridik dhe Albanian Institute of Cultural Studies (AICS)

Fakultetit Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunojë me “Albanian Institute of Cultural Studies” (AICS) në Prishtinë. Për këtë qëllim është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi nga dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi dhe drejtoresha Ekzekutive e “Albanian Institute of Cultural Studies” (AICS)-së, dr. Elona Gjata.

Memorandumi i Bashkëpunimit i lidhur mes palëve nënshkruese ka për qëllim krijimin e bazës së bashkëpunimit të dyanshëm përmes realizimit të aktiviteteve në kuadër të projekteve që implementohen nga AICS. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, dekani Qerimi dhe drejtoresha Gjata, vlerësuan se ky memorandum bashkëpunimi do të mundësojë mbajtjen e disa aktiviteteve (tryeza diskutimi, ligjërata) dhe projekteve nga të cilat do të përfitojnë në veçanti studentët e Fakultetit Juridik.

Dekani Qerimi, tha se në kurrikulën e programit të Fakultetit Juridik është e paraparë lënda e Historisë së Institucioneve Shtetërore dhe Juridike, ku një pjesë e temave i kushtohet edhe historisë së të drejtës zakonore dhe kulturës shqiptare, arritja e këtij bashkëpunimi ndërmjet të dy subjekteve – palë të këtij memorandumi, do të tregojë efekt në avancimin e shkathtësive të studentëve në këtë sferë të rëndësishme, për sa u përket hulumtimeve dhe projekteve që do të kemi mundësi të konsumojmë në të ardhmen.

Palët u pajtuan që memorandumi të fillojë sa më parë në zbatimin e tij. Drejtuesja e AICS-s, E. Gjata, pas ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, për studentët e këtij Fakulteti prezantoi një ligjëratë të hapur me temë: Kushtetuta e Kaçanikut: Një këndvështrim antropologjik. Kjo ligjëratë u përcoll me interesim të madh nga studentët dhe stafi akademik. Znj. Gjata për bibliotekën e këtij Fakulteti dhuroi një ekzemplar të librit “Kosova në 100 fotografi”, me autorë znj. E. Gjata dhe z. H. Ndreu!

Në fund, dekani Qerimi e falënderoi drejtoreshën e AISC, znj. Gjata, për gatishmërinë e dëshmuar për të bashkëpunuar me Fakultetin Juridik të UIBM-it.