Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Juridik dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë”
Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunojë me “Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë” (FDHK), në Prishtinë. Për këtë qëllim është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi nga dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Islam Qerimi dhe drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë“ (FDHK), Bekim Blakaj.
Memorandumi i Bashkëpunimit i lidhur mes palëve nënshkruese ka për qëllim zyrtarizimin e bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve, me qëllim të shkëmbimit të përvojave të tyre në fushat përkatëse.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, dekani Qerimi dhe drejtori Blakaj, vlerësuan se ky memorandum bashkëpunimi do të mundësojë mbajtjen e disa aktiviteteve (tryeza diskutimi, ligjërata, prezantime dhe ekspozita) dhe projekteve nga të cilat do të përfitojnë në veçanti studentët e Fakultetit Juridik.
Dekani Qerimi, tha se në kurrikulën e programit të Fakultetit Juridik janë paraparë një mori lëndësh, ku trajtohen të drejtat e njeriut, rritja e këtij bashkëpunimi ndërmjet të dy subjekteve – palë të këtij memorandumi, do të tregojë efekt në avancimin e shkathtësive të studentëve në këtë sferë të rëndësishme, për sa u përket hulumtimeve dhe projekteve që do të kemi mundësi të konsumojmë në të ardhmen.
Konkretisht, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM) do të përfitojnë njohuri teorike dhe praktike në fushën e Drejtësisë Tranzicionale, nëpërmjet ligjëratave, vizitave studimore dhe aktiviteteve të tjera të përbashkët në mes të dy Institucioneve. Duke pasur parasysh përvojën e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) në të gjitha projektet e saj, e posaçërisht në projektin “Edukimi Jo-formal mbi Drejtësinë Tranzicionale”, FDHK do të mbajë një seri ligjëratash për studentët e Universitetit të Prizrenit mbi temën e Drejtësisë Tranzicionale.
FDHK me këtë Memorandum të Bashkëpunimit zotohet se do mbajë një ligjëratë çdo semestër. Por, me kërkesë të Fakultetit Juridik të UIBM-it, këto ligjërata mund të mbahen edhe më shpesh. FDHK do të organizojë pritjen e grupeve të studentëve të Fakultetit Juridik të UIBM-it, në hapësirat e Qendrës së Dokumentimit të Kosovës dhe do të bëjë prezantimin e ekspozitës “Na ishte Njëherë që Kurrë mos Qoftë” e cila i kushtohet fëmijëve viktima të luftës, apo ekspozitave që do i instalojë në të ardhmen. FDHK do të ftojë grupe studentësh nga Fakultetit Juridik i UIBM-it, që të marrin pjesë në debatet e organizuara apo në shfaqjen e veprave të artit (ekspozita, filma dokumentarë etj.) që kanë të bëjnë me temën e Drejtësisë Tranzicionale.
Palët u pajtuan që memorandumi të fillojë sa më parë në zbatimin e tij. Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë“ (FDHK), z. Bekim Blakaj” pas ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, për studentët e këtij Fakulteti së bashku me Besnik Beqaj, menaxher i programit të FDHK, prezantuan një ligjëratë të hapur me temë: “Drejtësia Tranzicionale”. Kjo ligjëratë kishte në fokus ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë, të drejtat e viktimave dhe familjeve të viktimave sot, gjykimet për krime lufte dhe format tjera të ballafaqimit me të kaluarën. Kjo ligjëratë u përcoll me interesim të madh nga studentët dhe stafi akademik. Në fund, dekani Qerimi e falënderoi Drejtorin ekzekutiv i “Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë“ (FDHK), z. Bekim Blakaj, për gatishmërinë e dëshmuar për të bashkëpunuar me Fakultetin Juridik të UIBM-it.