Memorandum Of Cooperation Between The FTU And The Association Of Kosovo Journalists

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet FTU-së dhe Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës

Me qëllim të rritjes së përshtatshmërisë ndërmjet sektorit të edukimit me ato të nevojave të tregut,  Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU) dhe Shoqata e Verëtarëve të Kosovës (SHVK) “Enologjia” në Rahovec, kanë arritur një memorandum mirëkuptimi. Memorandumi u nënshkrua të enjten në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” nga dekani i FTU-së, Milaim Sadiku dhe  kryetari i  SHVK “Enologjia”, Gazmend Daka.

Ishte vlerësim i përbashkët se memorandumi do të ketë ndikim pozitiv në rritjen e efiçencës dhe efektshmërisë së bizneseve në sektorin e verarisë. Përmes këtij memorandumi të mirëkuptimit palët nënshkruese kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellë, duke synuar ngritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe njohurive profesionale.

Në kuadër të bashkëpunimit parashihet që palët të ndihmojnë njëra-tjetrën në bazë të veprimtarisë që e zhvillojnë. FTU-ja në kuadër të programeve të studimeve do të ketë lëndë nga veraria përkatësisht nga “Teknologjia e përftimit të verës”. Me këtë rast kuadri i shkolluar në FTU do të jetë më i përgatitur në fushën e verarisë, që i njëjti pastaj do të plotësoj mungesën e enologëve.

Studentët e FTU-së në të njëjtën kohë do ta zhvillojnë punën praktike-profesionale në kompanitë anëtare të SHVK ”Enologjia”. Dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, tha  se ky bashkëpunim do të reflektoj në ngritjen e kapaciteteve humane me kërkesat e tregut të punës, pastaj në drejtuesit dhe palët e tjera të interesit të prodhuesve vendor të verërave, në trajnime dhe seminare të ndryshme.

Kryetari i SHVK-së, Gazmend Daka, tha se planifikohet që të bashkëpunimi të shtrihet në fusha të ndryshme. “Jemi dakorduar që të bashkëpunojmë për ofrimin e mundësive për studentë në realizimin e punës praktike (laboratorike), mandej realizimin e punimeve të seminarit dhe në punimin e diplomave në nivelet e studimeve themelore dhe master, shfrytëzimi i laboratorëve të kompanive që janë në kuadër të SHVK “Enologjia” etj”, tha ai.

 

Ky memorandum bashkëpunimi është pesëvjeçar, i cili do të rishikohet pas kësaj periudhe për të siguruar që qëllimi dhe zbatimi është bërë siç është synuar. Programet dhe aktivitetet duhet të raportohen dhe vlerësohen pas përfundimit të aktiviteteve apo periudhës njëvjeçare. Të dy institucionet do të mbajnë takime të herëpashershme për të shqyrtuar realizimin apo ndryshimet tjera që mund të ndikojnë në përmbajtjen e këtij memorandumi.