Memorandum bashkëpunimi ndërmjet FTU-së, K.R.U Gjakova dhe “Kosovo Glass Recycling”
Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me K.R.U Gjakova dhe “Kosovo Glass Recycling” me qëllim të përshtatshmërisë së sektorit të arsimit të lartë me ato të nevojave të tregut. Për të detajuar fushat e bashkëpunimit trepalësh, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit nga dekani i FTU-së, prof.asoc.dr. Mensur Kelmendi, kryeshefi ekzekutiv i K.R.U. Gjakova, Hasan Krasniqi si dhe pronari i kompanisë “Kosovo Glass Recycling”, Dukagjin Berisha.
Përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit palët kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellë, duke synuar ngritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe njohurive profesionale. Dekani Kelmendi, theksoi se qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të kontribuohet në ngritjen e relevancës dhe përshtatshmërisë së sektorit të arsimit të lartë me ato të nevojave të tregut si dhe të sigurohet ndikimi pozitiv në rritjen e efektshmerisë së bizneseve në sektorin e inxhinierisë dhe ekonomisë.
Në kuadër të bashkëpunimit palët nënshkruese do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në bazë të veprimtarisë që e zhvillojnë. Njëkohësisht studentët e FTU-së do ta zhvillojnë praktikën profesionale në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Gjakovë si dhe në kompaninë “Kosovo Glass Recycling”.
Palët nënshkruese u dakorduan që t’i caktojnë personat përgjegjës për zhvillimin dhe koordinimin e programeve dhe aktiviteteve të përcaktuara nga qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi.