Fjur – Alumni

Menaxhmenti i Fakultetit Juridik organizoi takim me ALUMNI

Në datën 30 dhjetor 2024, u mbajt takimi me ALUMNI të Fakultetit Juridik, ku morën pjesë ish-studentë të fakultetit, përfaqësues të ALUMNI, si dhe stafi menaxherial  i Fakultetit Juridik. Takimi pati rend dite të pasur dhe diskutime të thelluara mbi përmirësimin e kurikulës dhe mundësitë e avancimit të programeve të fakultetit, duke u fokusuar kryesisht në nevojën për një përgatitje më të gjerë praktike për studentët.

Dekani dhe Prodekani i Fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Qerimi dhe Prof. Ass. Dr. Arbnor Ajeti  mirëpritën të gjithë pjesëmarrësit dhe shpjeguan rëndësinë e takimit, i cili kishte për qëllim të shkëmbeheshin mendime dhe sugjerime mbi përmirësimin e programit akademik dhe forcimin e lidhjeve mes fakultetit dhe ALUMNI.

Ish-studentët e fakultetit, si dhe përfaqësuesit e ALUMNI, shpalosën përvojat e tyre profesionale, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve të ALUMNI në ndihmën dhe mbështetje për studentët e rinj në Fakultet. Ata shprehën përfitimet që kishin marrë nga programi akademik dhe ndikimin e tij në karrierën e tyre profesionale, duke vënë në pah nevojën për lidhjen e mëtejshme të fakultetit me institucionet e drejtësisë të Kosovës.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte përqendruar te mundësitë dhe sfidat që ish-studentët kanë hasur para dhe pas diplomimit. Ata kërkuan që të shtohen orët praktike, në veçanti klinikat juridike, për lëndët themelore të fakultetit, duke theksuar se kjo do të ndihmonte studentët për një integrim më të lehtë në tregun e punës.

Ish-studentët sugjeruan që të bëhen përpjekje më të mëdha për të ofruar më shumë mundësi praktike gjatë studimeve. Ata theksuan rëndësinë e praktikave dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet ligjore, duke i mundësuar studentëve të marrin përvojë të drejtpërdrejtë në fushën e jurisprudencës. Në  vazhdim vlerësuan pozitivisht implementimin e suksesshëm të Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili ka sjellur mundësi për pjesëmarrjen e studentëve në punën e gjykatave për të zgjidhur raste të ndryshme juridike.

Gjatë kësaj pjese, pjesëmarrësit kishin mundësinë të drejtonin pyetje dhe të diskutonin me ALUMNI-në dhe stafin menaxherial mbi zhvillimet e fundit në fushën e ligjit, si dhe mbi sfidat dhe mundësitë që ofron tregu i punës.

Dekani dhe Prodekani Qerimi përmbyllën takimin duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së lidhjeve të forta me ALUMNI dhe duke kërkuar që takime të tilla të organizohen sa më shpesh, për të shkëmbyer ide dhe për të avancuar programin e Fakultetit. Ata u angazhuan për të implementuar sugjerimet dhe për të siguruar që Fakulteti të vijojë të përmbushë kërkesat dhe nevojat e studentëve në harmoni me tregun e punës.