Mëtohet thellimi i rolit të studentëve në vendimmarrje
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka pritur të martën në takim një delegacion të Unionit të Studentëve të Kosovës, që udhëhiqej nga kryetari, Arben Mehmeti. Në takim u bisedua për vendosjen e praktikave sa më të mira të bashkëpunimit ndërmjet menaxhmentit dhe përfaqësuesve studentor.
Rektori Musaj, ka përgëzuar studentët që janë organizuar në një formë të tillë duke mbledhur studentët nga e gjithë Kosova. “Ky është një shembull i mirë i organizimit studentor, që shpresojmë të ketë ndikim pozitiv në të gjitha universitetet tona”, tha ai.
Pasi foli për historikun e Universitetit “Isa Boletini”, sfidat dhe të arriturat, rektori Musaj, u përqendrua edhe në bashkëpunimin me përfaqësuesit studentor. “Studentët janë të organizuar mirë në Universitetin tonë. Ata janë pjesë e të gjitha organeve vendimmarrëse dhe ne jemi shumë të interesuar që bashkëpunimi të jetë edhe më intensiv”.
Në anën tjetër, kryetari i Unionit të Studentëve të Kosovës, Arben Mehmeti, falënderoi rektorin e Universitetit “Isa Boletini” për pritjen dhe gatishmërinë e tij që të thelloj bashkëpunimin me përfaqësuesit e studentëve. “Qëllimi ynë si organizatë është që ndikojmë në rritjen e përfaqësimit të studentëve në të gjitha hallkat universitare”, theksoi ai.
Mehmeti, tha se në radhë të parë mëtohet të rritet përfaqësimi i studentëve në vendimmarrje. “Në përgjithësi ka një bashkëpunim të mirë të drejtuesve universitar me përfaqësuesit e studentëve, mirëpo ne jemi të interesuar që ky bashkëpunim të rritet edhe më tej”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Parlamentit të Studentëve në Universitetin “Isa Boletini”, Fitim Latifaj, tha se në përgjithësi ka një frymë të mirë bashkëpunimi dhe ata janë të përfaqësuar mirë në mekanizmat vendimmarrës.