Ministri Bajrami, mbajti ligjëratë për të ardhmen e arsimit të lartë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, qëndroi të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku mbajti një ligjëratë për vizionin që ka të bëj me arsimin e lartë në Kosovë. Në ligjeratë ishin të pranishëm, rektori, Alush Musaj, prorektorë, dekanë, prodekanë dhe studentë të Universitetit “Isa Boletini”.
Fillimisht rektori Musaj, falënderoi ministrin Bajrami për mbështetjen e pakursyer për Universitetin “Isa Boletini”. “Përkundër sfidave të fillimit si Universitet, për një kohë relativisht të shkurtër jemi konsoliduar. Gjendja do të përmirësohet dukshëm pas vendosjes në kampusin e ri universitar”, tha ai.
Ndërsa ministri Bajrami, përgëzoi drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” për punën e mirë që kanë bërë. “Jemi të lumtur që shohim sot një Universitet që po ecën suksesshëm, prandaj përkrahja jonë do të jetë e vazhdueshme”.
Duke folur për të ardhmen e arsimit të lartë në Kosovë, ai tha se janë tri segmente ku duhet të përqendrohen përpjekjet. “Së pari programet e reja, por edhe ato ekzistuese duhet të ofrohen me industrinë, në mënyrë që të ketë një lidhshmëri të drejpërdrejtë me tregun e punës”, theksoi ai.
Segmenti i dytë, sipas tij, ka të bëj me rritjen e cilësisë në arsim. “Diplomat që lëshohen nga universitetet tona duhet të jenë valide dhe kompatibile në gjithë botën”. Në fund ai foli edhe për nevojën e bashkëpunimit ndëruniversitar në rajon dhe më gjerë.