Vizita E Ministrit

Ministri i Arsimit vizitoi Universitetin “Isa Boletini”

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe kryetarja e Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Valentina Bunjaku- Rexhepi, kanë vizituar të hënën Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Ata u pritën në takim nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj, me të cilin diskutuan për sfidat dhe të arriturat e këtij universiteti.

Rektori Musaj, i falënderoi mysafirët për vizitën dhe i njoftoi ata me rrugëtimin e arsimit të lartë në Mitrovicë. Ai theksoi se përkundër sfidave, përvoja e gjatë akademike ka bërë që UMIB-i të shndërrohet në një tregim suksesi për një kohë relativisht të shkurtër.

Ai gjithashtu vlerësoi qasjen korrekte të ministrit Likaj, sa i përket shtytjes për miratimin në Kuvendin e Kosovës të Statutit të UMIB-it, duke qenë se Statuti i Përkohshëm, në bazë të të cilit funksionon UMIB-i, por edhe disa universitete tjera publike në Kosovë, tashmë  janë shndërruar në pengesë për zhvillimin e këtyre universiteteve.

Në anën tjetër, ministri Likaj, bëri të ditur se ata kanë proceduar draftstatutin në qeveri dhe pas procedurave të zakonshme do të kaloj në Komisionin përkatës të Kuvendit të Kosovës. “Jemi duke punuar që të krijojmë kushte sa më të mira pune për këto universitete, prandaj në këtë  kontekst kemi shtyrë përpara edhe miratimin e statuteve të tyre”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Valentina Bunjaku- Rexhepi, u shpreh e bindur se së shpejti këto draftstatute të universiteteve do të kalojnë në Kuvend për miratim. “Fillimisht këto drafstatute do analizohen në Komision dhe mandej pa humbur kohë do të procedohen për miratim në Kuvend”, tha ajo.

Ministri Likaj dhe kryetarja e Komisionit për Arsim dhe Shkencë, të shoqëruar nga rektori Musaj, kanë vizituar edhe hapësirat e kampusit universitar, ku janë mahnitur nga kushtet që ofrohen për studentë dhe mësimdhënës.

Ministri