2

Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, vizitoi Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka vizituar të martën Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). E shoqëruar nga zëvendësministri, Taulant Kelmendi, ministrja Nagavci ka zhvilluar një takim të përbashkët me u.d. rektoren, prof.dr. Nureten Deva, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe dekanët e njësive akademike.

U.d. rektorja Deva, e falënderoi ministren për vizitën dhe interesimin për UIBM. Ajo bëri një prezantim të shkurtër të institucionit, të arriturave dhe sfidave me të cilat përballet.

Ndërsa, ministrja Nagavci, tha se janë duke zhvilluar takime dhe vizita nëpër të gjitha universitetet publike, për të diskutuar bashkërisht për tema të rëndësishme që ndërlidhen me arsimin e lartë në vend. Në këtë kontekst, ajo përmendi Planin Strategjik të Arsimit, ku arsimi i lartë është në fokus, mandej profilizimi i universiteteve, buxheti etj.

Ajo theksoi se suksesi i universiteteve, UIBM-it në këtë rast është edhe sukses i MASHTI-t në përgjithësi, prandaj shprehu mbështetjen për të gjitha sfidat që janë përpara. Në këtë kuadër, zëvendësministri Kelmendi, tha se UIBM ka një rëndësi të madhe për shkak të programeve specifike që janë të ndërlidhura me zhvillimin e industrisë në vend.

Në takim folën edhe anëtarët e KD-së dhe dekanët, të cilët shtruan për diskutim çështje specifike që ndërlidhen me akreditimin e programeve, rekrutimin e stafit akademik etj.

2